Saturday, March 24, 2012

Afërdita Dreshaj dhe Adelina Tahiri “Çmenduritë dhe sekretet që nuk na kanë ndarë dot”



Janë të bukura dhe të suksesshme, po aq sa janë të veçanta në jetët e tyre jo vetëm artistike por edhe private. Megjithatë shoqëria e tyre nuk ka kaluar pa u komentuar në forma nga më të ndryshmet, sidomos pas fotove provokuese, për të cilat u tha se vajzat po shfaqnin shenja lesbizmi mes tyre. Po kjo është vetëm një nga gjërat “e çmendura” që ato bëjnë bashkë. Afërdita Dreshaj dhe Adelina Tahiri, dy biondet e bukura në këtë intervistë tregojnë miqësinë, çmenduritë por edhe disa sekrete mes mikesh, po pse jo edhe rivalesh.





Afërdita: Ngaqë jemi bashkë të dyja, Tirana është edhe më e bukur. Ditët janë me diell, nuk e di a ndriçojmë ne (qesh)…
Adelina: Kur nuk jemi ne në Tiranë, kemi dëgjuar që nuk ka diell, vetëm shi (qesh). Unë kur jam me Afërditën, qoftë në Tiranë, Shkup, Mal të Zi apo Amerikë, ia kaloj shumë mirë. Është e vërtetë që kur ke shoqëri të mirë ia kalon mirë kudo që të jesh.
Duket se kudo jeni bashkë, pak më parë në Amerikë, tani në Tiranë. Jeni bërë të pandashme, na i sqaroni pak këtë punë…
Afërdita: Ekskluziviteti është që jemi shoqe të pandara. Kemi qenë bashkë në Amerikë. Adelina erdhi për herë të parë në Amerikë dhe i pëlqeu shumë. Pastaj na qëlloi që erdhëm të dyja në “Dancing” dhe kjo na bëri më shumë që t’i themi PO këtij spektakli. Meqenëse jemi shoqe  të ngushta, nuk kemi për t’u mërzitur dhe do ia kalojmë mirë bashkë.
Adelina: Afërdita bashkë me familjen e saj më kanë pritur shumë mirë në Amerikë dhe do doja të shkoja prapë sapo të më jepej mundësia. Sapo të mbaroj spektakli do shkoj sërish në SHBA dhe ndoshta ta bezdis pak Afërditën. Kështu që është privilegj që jemi në DWS bashkë.
Si është e vërteta e fotove provokuese gjatë kohës që ishit në SHBA?
Afërdita: Me Adelinën, si të puthemi në faqe dhe në buzë, njëlloj është. Nuk është foto provokuese sepse tani puthja në buzë është bërë si puthje në dorë. Ne jemi shumë të afërta, tallemi shumë,jemi vajza që bëjmë edhe shaka. Nuk e kemi problem se çfarë do të ndodhë.
Adelina: Kemi dashuri mbi të gjitha miqësore dhe jemi vërtet si motra. Nga momenti që njihemi e deri tani nuk jemi zënë asnjëherë. Ka shumë kohë që jemi shoqe, por nuk e përziejmë punën me shoqërinë. Kjo na bën të ndihemi shumë të lira dhe fotografohemi. Ka njerëz që i marrin për ters apo i komentojnë, por kjo gjë ne nuk na shqetëson aspak. Ne ndihemi mirë në atë që bëjmë.
Kur ka lindur miqësia juaj vajza?
Afërdita: Adelina është nga Shkupi, prej nga është edhe Shpati. Ai është i pari që më ka njohur me Adelinën, pasi edhe familja e tij ka miqësi me familjen e saj. Në fillim nuk e njihja Shkupin dhe kjo më ka treguar qytetin. Kështu ka lindur miqësia, pasi kishim edhe shumë gjëra të përbashkëta.

Adelina: Kur e kam parë Afërditën me Shpatin i kam thënë këtij: “Kush është kjo femër e bukur?” Unë femrat e bukura i dashuroj, ato femra që dinë ta mbajnë veten. Çdo femër është e bukur, mjafton që ta mbajë pak veten. Po Afërdita vërtet ishte shumë e bukur dhe Shpati që po ma prezantonte me krenari. Në fillim më ka pëlqyer si femër, por nuk ishte vetëm bukuria. Ishte karakteri ai që na ka lidhur dhe që sot e kësaj dite jemi në të njëjtën tavolinë.
Çfarë kritikash bëni? A ndjeni xhelozi për ndonjë këngë të njëra-tjetrës?
Afërdita: Jemi shumë të lira në këtë aspekt. I them p.sh. Adelinës, “kjo këngë nuk po më pëlqen fare”, “çfarë ke veshur ashtu, katastrofë…’.
Adelina: Tani që jemi në “Dancing with the stars” unë ia tregoj hapat dhe i them, këtë nuk e bëj mirë. I tregojmë njëra-tjetrës edhe dobësitë.
Afërdita: Publiku dashuron diçka tek Adelina që unë nuk e kam dhe anasjelltas.
Tani jeni bërë si binjake…
Adelina: Ka shumë njerëz që kur na shohin nga larg na thonë që dukemi si binjake. Ngaqë rrimë bashkë edhe sjelljet i kemi të ngjashme.
Çfarë çmendurish keni bërë bashkë të dyja?
Afërdita: Kemi bërë diçka shumë të bukur. Para dy ditëve ishim përballë Kuvendit, por kishte shumë parkim dhe nuk kishim ku të linim makinën për të ngrënë bukë. Lejohej vetëm për zyrtarë. I them Adelinës, ma lër mua në dorë këtë punë. I fola djalit që ishte aty dhe ai më tha që nuk lejohej pasi ishte vetëm për ministrinë. Pastaj unë i thashë që e kam mik Sali Berishën. “Vërtet?!” më pyeti ai. Dhe unë ia ktheva: “Ja, po e marr në telefon”. “S’ka problem”, më tha dhe kështu e siguruam parkingun. (qesh).
Po në Amerikë?
Afërdita: Adelina nuk mund të shkonte në klubet e natës aty, pasi nuk është ende 21 vjeçe ndaj nuk kemi bërë ndonjë çmenduri nga jeta e natës. Ne e duam shopingun jashtë mase dhe ka ndodhur më shumë se disa herë të kthehemi në shtëpi me të njëjtat bluza që kemi blerë më parë.
Adelina: Problemi më i madh ishte se zakonisht blejmë shumë dhe unë nuk i them, Afërdita mos e merr këtë, siç ndodh me shumë shoqe të tjera. Ne jemi e marrim këtë, edhe këtë, ja edhe kjo se na duhet për në spektakël.
Afërdita: I thoshim njëra-tjetrës, prej nesër do fillojmë t’i ruajmë lekët. Pasi dilnim, “a e blejmë dhe këtë, edhe këtë…” e kështu shtyhej koha e kursimit (qesh).
Afërdita, ti e dije që po të jesh mikeshë e Kryeministrit zgjidhen gjërat?
Unë nuk e di. Ia futa kot (qesh). Ishim aq të lodhura sa nuk kishim ku të gjenim parking tjetër. Nëse Kryeministri e lexon këtë intervistë, faleminderit në emrin tim se prej parkingut hëngrëm bukë.
Afërdita, si më e madhe për çfarë e kritikon Adelinën, sidomos për ndonjë mashkull?
Adelina: Në shoqëri harrohet mosha, por unë e pyes, i marr mendim Afërditës, por edhe ajo mua.
Afërdita: Sikur më dëgjon kjo (qesh)…
Ke refuzuar ndonjë çun sepse Afërdita të ka thënë “nuk është për ty”?
Adelina: Po, po. Ka ndodhur. Nëse nuk e pëlqen Afërdita, unë e heq nga lista (qesh).
Afërdita: Nëse nuk më pëlqen mua, harroje (qesh).
Kur shihni që njëra ka më shumë klikime se tjetra në youtube për këngët tuaja, bëheni pak xheloze?
Afërdita: Jo. Definitivisht jo. S’ka shanse. Ne jemi vajza që nuk shohim komentet dhe të na prekin. Nuk kemi pse të mërzitemi ne pse dikush mund të shkruajë gjëra të ndryshme.